Gjatë muajit nëntor, Junior Achievement of Albania zhvilloi dy sesione informuese në kuadër të projektit InnoVET 2.0. Javën e parë të nëntorit u zhvillua sesioni i tretë në Shkollën Teknike Korçë me pjesëmarrjen e 98 nxënësve, dhe javën pasardhëse sesioni i katërt në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë me 92 nxënës. Ky format aktiviteti synon të orientojë nxënësit drejt sipërmarrjes dhe inovacionit, duke u prezantuar atyre mundësitë dhe rezultatet e arritura përmes programit.
Gjatë sesioneve, nxënësit u njohën me qasjet e përdorura në projekt për zhvillimin e ideve të bazuara në sfida reale të komunitetit dhe për shndërrimin e tyre në nisma konkrete. Prezantimi përfshiu përmbledhjen e aktiviteteve kryesore të zbatuara, si punët praktike me grupe, modelet e biznesit të zhvilluara në klasë dhe formatet e mentorimit që kanë ndihmuar nxënësit të konkretizojnë idetë e tyre.
Një pjesë e rëndësishme e sesionit iu kushtua mini–kompanive të krijuara gjatë vitit, të cilat shërbyen si shembuj praktikë për të treguar se si kreativiteti i nxënësve, i mbështetur nga ekspertët e programit, është shndërruar në ide konkrete biznesi. Veçanërisht vlen të përmenden kompanitë e krijuara me mbështetjen e InnoVET 2.0 që u përzgjodhën për të marrë pjesë në Festivalin Kombëtar të Sipërmarrjes GEN-E Albania 2025: MetalART, My City’s Hub, TeknoVolt dhe ProSkills nga Shkolla Teknike Korçë, si dhe Queless, Farm Futures, Aquaweb, Dirty Mole dhe Farm2you nga Gjimnazi “Sami Frashëri” Tiranë.
Ky format është konceptuar për të qenë angazhues dhe interaktiv, duke krijuar hapësirë që nxënësit të diskutojnë idetë e tyre, të shtrojnë pyetje dhe të reflektojnë mbi mënyrat se si arsimi profesional dhe programet e JAA mund të mbështesin zhvillimin e aftësive të orientuara drejt tregut të punës dhe sipërmarrjes. Interesi i nxënësve për të eksploruar më tej mundësitë e sipërmarrjes ishte një tregues i qartë i ndikimit të ndërhyrjes.
InnoVET 2.0 synon të forcojë aftësitë për inovacion, kreativitet dhe sipërmarrje në institucionet e arsimit profesional, duke ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet shkollave, ekspertëve dhe aktorëve të ekosistemit të inovacionit.
Ky projekt zbatohet nga Junior Achievement of Albania, në partneritet me Universitetin POLIS, Shkollën Teknike Korçë dhe Gjimnazin “Sami Frashëri” Tiranë, me mbështetjen e GIZ dhe EU4Innovation.

