Ekipi i vajzave të Gjimnazit “Hasan Tahsini” Sarandë mori pjesë në Forumin Women & Girls in STEM 2025, i zhvilluar në Bruksel nga 14 deri më 16 tetor 2025, si pjesë e programit Girls Go Circular (GGC) të zbatuar në Shqipëri nga Junior Achievement of Albania.
Pjesëmarrja e tyre u bë e mundur pas vlerësimit si “Ideja më e mirë” ndër grupet shqiptare në Students Challenge, një nismë që i inkurajon nxënëset të krijojnë zgjidhje inovative që ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë të sigurt online. Projekti i ekipit “Hasan Tahsini” trajtoi ndërgjegjësimin mbi sigurinë digjitale dhe mënyrat e mbrojtjes nga mashtrimet kibernetike, duke u vlerësuar për qasjen krijuese dhe ndikimin edukativ të idesë.
Forumi, i organizuar nga EIT – European Institute of Innovation and Technology dhe Komisioni Evropian, mblodhi vajza, mësuese dhe profesioniste nga mbi 30 vende evropiane, në kuadër të EIT Education and Skills Days 2025, ku u prezantuan arritjet pesëvjeçare të programit Girls Go STEM dhe ndikimi i tij në promovimin e barazisë gjinore dhe inovacionit gjithëpërfshirës në STEM.
Gjatë tre ditëve të forumit, pjesëmarrëset morën pjesë në workshop-e mbi mendimin kritik, bashkëpunimin profesional dhe prezencën digjitale, në vizita kulturore në institucionet e Brukselit, si dhe në finalen e Students Challenge, ku tre ekipe finaliste prezantuan idetë e tyre mbi sigurinë kibernetike përballë një jurie ekspertësh.
Dita e fundit u mbyll me panele diskutimi të moderuara nga Alumni të Girls Go Circular, ku u ndanë përvoja, këshilla dhe mundësi karriere në fushat STEM, duke i frymëzuar vajzat të vazhdojnë studimet dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje digjitale të sigurt dhe të qëndrueshme.
Përmes programit Girls Go Circular, Junior Achievement of Albania mbështet zhvillimin e kompetencave digjitale, të gjelbra (green) dhe aftësitë sipërmarrëse, duke inkurajuar nxënësit të mendojnë kritikisht, të bashkëpunojnë dhe të eksplorojnë fusha që lidhin teknologjinë me inovacionin dhe qëndrueshmërinë.
Ky forum tregon se gjithnjë e më shumë vajza mund të jenë pjesë aktive e botës STEM duke sjellë ide, perspektiva dhe zgjidhje që forcojnë të ardhmen e arsimit dhe inovacionit në Evropë.
