MARTIN MATA
Kryetar i Bordit të Drejtorëve

Martin Mata ka 30 vjet përvojë në menaxhim në sektorin publik dhe privat, në planifikim strategjik, analiza të avancuara ekonomike, të tregut dhe të investimeve, analizë politike dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Ai filloi të punojë për Fondin Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve, në vitin 2000 dhe u bë Bashkëdrejtor Ekzekutiv në vitin 2010. Përvojat e tij të mëparshme përfshijnë pozicione si menaxher i përgjithshëm i Mercedes-Benz në Shqipëri, këshilltar politik i Kryeministrit të Shqipërisë, këshilltar politik në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe drejtor për marrëdhëniet me publikun në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit. Ai ka një diplomë në Histori dhe Gjuhë Angleze dhe një MBA nga një program i përbashkët i Universitetit të Nebraskës dhe Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit Tiranës. Ai është Bashkëdrejtor Ekzekutiv i AADF-së që nga viti 2013. Në vitin 2015, Z. Mata ka marrë Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë

ELVIN GURI
Zv/Kryetar i Bordit të Drejtorëve

Elvin Guri është një investitor dhe sipërmarrës me më shumë se 15 vjet rekord të suksesshëm në sistemin bankar dhe kapitalin privat në Evropë. Si investitor dhe këshilltar, Elvini është përfshirë në marrëveshje në sektorin e institucioneve financiare (Republika Ceke, Ukraina, Polonia, Rumania, Serbia, Shqipëria, Maqedonia), në teknologji dhe bioteknologji (Zvicër, Bullgari), në kujdesin shëndetësor dhe industrinë ushqimore (Bullgaria), dhe sektorin e pasurive të patundshme (SHBA). Z.Guri është një nga 2 themeluesit e JetFinance International, huadhënësi më i madh i financave të konsumatorit në EJL. JetFinance u shit në BNP Paribas Personal Finance në korrik 2007. Z.Guri zotëron 49% të aksioneve të operatorit të telefonisë celulare Telekom Albania, pas blerjes në 2019, përmes kompanisë Albania Telekom Invest AD. Ai ka mbuluar role të ndryshme në organizma prestigjozë si si PWC dhe BERZH. Elvin mban titullim Master Ekzekutiv në Administrim Biznesi nga Universiteti i Oksfordit. Elvini mbështet disa nisma arsimore në Bullgari dhe Shqipëri, përfshirë AUBG, Mësimdhënie për Bullgarinë (""Zaedno v Chas"") dhe Junior Achievement.

JONIDA LAMA
Anëtare e Bordit të Drejtorëve

Jonida iu bashkua AADF-së në vitin 2018. Më parë, ajo ka punuar me Qendrën Këshillimore EducationUSA dhe ka shërbyer si Drejtore Ekzekutive në Qendrën "Youth Act".

Ajo zotëron një diplomë "Master i Shkencave" (MSc) në Drejtësi, një diplomë "Master i Arteve" (MA) në Administratë Publike dhe një doktoraturë (PhD) në të Drejtën e Konkurrencës, të gjitha të marra në Universitetin e Tiranës. Jonida është gjithashtu avokate e licencuar pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë së Shqipërisë.

JONIDA ÇOLLAKU
Anëtare e Bordit të Drejtorëve

Znj. Jonida Çollaku shërben si Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore për Arsimin në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që prej nëntorit të vitit 2023. Ajo e nisi karrierën e saj profesionale si juriste në vitin 2012, duke punuar fillimisht pranë zyrave të përmbarimit, më pas në sektorin privat dhe më vonë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë. Znj. Çollaku ka punuar gjithashtu për pesë vite në Sektorin e Apelimeve pranë Drejtorisë Juridike të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tiranë. Nga viti 2021 deri në nëntor të vitit 2023, ajo ka shërbyer si Drejtore e Drejtorisë Rajonale të Tiranës pranë Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Znj. Çollaku ka përfunduar studimet e integruara të ciklit të dytë në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës dhe ka marrë titullin "Master Profesional" në Agrobiznes nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Që prej vitit 2014, ajo mban titullin "Avokat", të dhënë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

JONA ​​SULI
Anëtare e Bordit të Drejtorëve

Znj. Jona Suli shërben si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Arsimit, ku mbikëqyr koordinimin administrativ dhe institucional të ministrisë, mbështet zbatimin e politikave publike dhe siguron funksionimin efektiv të administratës për arritjen e objektivave strategjikë të institucionit.

Znj. Suli zotëron përvojë të gjerë në administratën publike dhe në drejtimin e institucioneve shtetërore.

Para emërimit të saj aktual, ajo ka shërbyer si Këshilltare për Çështjet Ligjore pranë Ministrit të Arsimit. Ajo ka mbajtur gjithashtu postin e Drejtores së Përgjithshme të Agjencisë Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC), ku ishte përgjegjëse për koordinimin dhe menaxhimin e ndihmës së huaj për zhvillim dhe për harmonizimin e programeve strategjike kombëtare.

Gjatë karrierës së saj, ajo ka shërbyer gjithashtu si Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Dialogun dhe Bashkëqeverisjen, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Hartimin e Programeve të Veçanta të Shtetësisë, si dhe Administratore e ndërmarrjeve shtetërore "Shtypshkronja e Letrës së Sigurisë" dhe "Albtrace Co. sh.a.". Më herët, ajo ka punuar në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit si Drejtore e Zbatimit të Prioriteteve dhe Statistikave, si dhe Drejtore e Programeve të Zhvillimit të Turizmit.

Jona Suli është një profesioniste në fushën ligjore me ekspertizë në administratën publike, planifikimin strategjik, koordinimin institucional, legjislacionin dhe integrimin evropian.

Ajo zotëron një diplomë Master në Drejtësi (LL.M.) për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Evropiane nga *Vrije Universiteit Brussel*, si dhe një diplomë Master Shkencor në të Drejtën Publike dhe diplomë Bachelor në Drejtësi nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës.