Junior Achievement of Albania, në bashkëpunim me Universitetin POLIS, organizoi vizitën e dytë studimore në kuadër të programit InnoVET 2.0, me pjesëmarrjen e 36 nxënësve nga Shkolla Teknike Korçë dhe Gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë. Nxënësit, të gjithë nga klasat e para dhe të dyta, u përfshinë në një eksperiencë orientuese që synon t’i afrojë ata me botën e inovacionit, prototipimit dhe sipërmarrjes.
Vizita u hap me një fjale përshëndetëse nga Dr. Elona Karafili, Zv.Rektore e Universitetit POLIS, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet arsimit profesional, universiteteve dhe aktorëve të ekosistemit të inovacionit për të përgatitur brezin e ri për sfidat e tregut të punës.
Gjatë paradites, nxënësit eksploruan laboratorët dhe hapësirat krijuese të POLIS-it, si Laboratorin e Prototipimit (FabLab), inkubatorët e inovacionit dhe ambientet bashkëpunuese, ku u prezantuan me mjetet dhe proceset që përdoren për të zhvilluar ide, prototipe dhe projekte reale në fushat teknike dhe kreative.
Programi vijoi me një aktivitet praktik mbi strukturën MOLA, i udhëhequr nga Dr. Flogerta Krosi. Përmes punës në grup dhe krijimit të strukturave të qëndrueshme ndaj tërmeteve, nxënësit u inkurajuan të zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese dhe mënyrat për të gjetur zgjidhje ndaj një problemi të caktuar. Qëllimi i ushtrimit nuk ishte të ndërtonin struktura teknike, por t’i ndihmonte ata të eksperimentonin me ide, të testonin qasjet e tyre dhe të reflektonin mbi procesin e zgjidhjes së problemeve, një komponent kyç i të nxënit inovativ.
Në pjesën e fundit të vizitës, të rinjtë u takuan me staf akademik dhe studentë sipërmarrës të POLIS-it, të cilët ndanë përvoja praktike mbi rrugëtimin e tyre në ideim, testim dhe zhvillim të projekteve inovative. Sesioni i pyetje – përgjigjeve krijoi një hapësirë motivuese ku nxënësit mund të lidhnin konceptet e prezantuara me interesat dhe ambiciet e tyre.
Vizita ofroi një përvojë të vlefshme orientuese, duke u dhënë nxënësve perspektiva konkrete mbi mundësitë që ofron arsimi i mëtejshëm, rolin e laboratorëve dhe mjediseve kreative, si dhe mënyrat se si inovacioni dhe sipërmarrja mund të ndërthuren në formimin e tyre profesional.
InnoVET 2.0 zbatohet nga Junior Achievement of Albania, në partneritet me Universitetin POLIS, Shkollën Teknike Korçë dhe Gjimnazin “Sami Frashëri” Tiranë, me mbështetjen e GIZ dhe EU4Innovation.

