Kemi kënaqësinë të ndajmë me ju lajmin më të rëndësishëm të këtij viti: Junior Achievement of Albania është vlerësuar si “Model Organisation 2025” nga JA Europe, një njohje që vlerëson organizatat me ndikimin më të lartë në edukim, sipërmarrje dhe fuqizimin e rinisë në mbarë Evropën.
Javën e kaluar, CEO e JA Albania, Blerina Guga, mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të JA Europe në Bruksel, një event ku u prezantuan vlerësimet vjetore për organizatat që arrijnë standardet më të larta të cilësisë, performancës dhe ndikimit në të gjithë rrjetin JA.
Nuk është rastësi që kjo njohje u dha në Bruksel, aty ku në të njëjtën kohë, mblidhej edhe zemra e rinisë europiane. Në #PulseZ Youth Festival, mbi 120 gazetarë të rinj, tregimtarë dhe krijues përmbajtjeje ndanë ide dhe histori që flasin për të ardhmen e tyre: nga puna dhe sipërmarrja, te roli i teknologjisë, shëndeti mendor dhe pjesëmarrja aktive në shoqëri. Ky çmim për JA Albania dhe ky festival dërgojnë një mesazh të përbashkët: të rinjtë janë sot në qendër të Europës , dhe ne jemi aty, krah për krah me ta.
Të shpallesh “Model Organisation” do të thotë të njihesh si një nga organizatat që vendos standardin për të tjerët: në mënyrën si zhvillon aktivitetet edukative, si mbështet mësuesit dhe nxënësit, si promovon inovacionin dhe si ndërton partneritete ndërkombëtare të qëndrueshme.
Ky çmim është një dëshmi e:
punës sonë të qëndrueshme ndër vite,
profesionalizmit dhe përkushtimit të ekipit,
angazhimit tonë për t’u ofruar të rinjve shqiptarë programe me standarde europiane, nga sipërmarrja, te edukimi financiar, punësimi i së ardhmes dhe aftësitë për jetën.
Një falënderim i përzemërt për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF), partnerët tanë institucionalë dhe të gjithë mësuesit dhe nxënësit në komunitetin tonë që i shndërrojnë idetë në ndikim të vërtetë çdo ditë në klasë, në komunitet dhe në tregun e punës. Kjo njohje i përket po aq shumë JA Albania-s sa çdo mësuesi, nxënësi, partneri dhe mbështetësi që ka qëndruar pranë nesh dhe ka besuar se të rinjtë në Shqipëri meritojnë të njëjtat shanse si bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë Evropën.
