GEW 2025 me JA Albania: Nga Piramida në gjithë Shqipërinë

Java Globale e Sipërmarrjes 2025 (GEW 2025) solli një javë të mbushur me energji, kreativitet dhe mundësi për të rinjtë shqiptarë, dhe Junior Achievement of Albania ishte në qendër të saj me një sërë aktivitetesh që prekën Tiranën dhe qytete të tjera në mbarë vendin. Aktivitetet nisën në Piramidën e Tiranës, ku JA Albania prezantoi zyrtarisht programin e inkubimit Junior UP 5.0, duke theksuar se çdo i ri 18–29 vjeç që ka një ide mund të gjejë tek JA një hapësirë për ta zhvilluar përmes mentorimit, edukimit financiar dhe mbështetjes së vazhdueshme. Paralelisht, ekipi i JA Albania zhvilloi një tur informues në universitete, me ndalesa në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” (Elbasan), Universitetin Polis dhe Tirana Business University. Studentët u njohën me procesin e aplikimit në Junior UP 5.0, fazat e programit dhe mundësinë për të përfituar grante deri në 10,000 USD, duke diskutuar hapur mbi sfidat e para të sipërmarrjes dhe rëndësinë e një komuniteti mbështetës.

Pjesë e rëndësishme e javës ishte edhe përhapja e edukimit financiar në shkolla të mesme përmes tre Finance Camps të organizuara në Elbasan, Vlorë dhe Lezhë. Në total, morën pjesë 123 nxënës nga 13 shkolla, të cilët u angazhuan në skenarë praktikë buxhetimi, ushtrime mbi vendimmarrjen financiare dhe diskutime rreth ndikimit që zgjedhjet e sotme kanë në të ardhmen. Në Elbasan, kampi u shoqërua me mentorim nga startup-i Switch Technologies, ndërsa në Vlorë nxënësit punuan në grupe të përziera duke marrë rolet e planifikuesve, vendimmarrësve dhe zgjidhësve të problemeve. Në Lezhë, fokusi ishte zhvillimi i sjelljeve financiare të përgjegjshme dhe vendosja e objektivave të qarta personale e profesionale.

GEW 2025 u pasurua gjithashtu me dy edicione të Innovation Day at the Pyramid, ku nxënës nga shkollat “Ali Demi” dhe “Osman Myderizi” eksploruan nga afër ekosistemin inovativ të Piramidës, përfshirë TUMO Tirana, Plug and Play, École 42 dhe hapësirat e JA Albania. Vizitat u kthyen në biseda inspiruese mbi aftësitë e së ardhmes, kuriozitetin dhe guximin për të eksperimentuar me ide të reja. Ndërkohë, orientimi profesional u thellua përmes Career DaysRrëshen dhe në shkollën “Avni Rustemi” në Tiranë, ku rreth 150 nxënës u takuan me profesionistë të ndryshëm dhe reflektuan mbi interesat dhe aspiratat e tyre.

Një tjetër moment i rëndësishëm i GEW 2025 ishte dalja mediatike e JA Albania në Radio Wave, ku u diskutua ndikimi i programeve të JA në edukimin sipërmarrës, roli i Junior UP 5.0 dhe misioni i organizatës për fuqizimin e të rinjve në Shqipëri. Mesazhi kryesor ishte i qartë: JA Albania është pranë të rinjve çdo ditë, duke i mbështetur në zhvillimin e aftësive dhe vetëbesimit të nevojshëm për botën moderne të punës dhe sipërmarrjes.

Në mbyllje të javës, u prezantuan edhe veçori të reja të LookUp, startup fitues në Junior UP 3.0, i cili ka vijuar të rritet dhe të përmirësohet falë bashkëpunimit me komunitetin e JA Albania dhe mundësive të krijuara nga programi ndër vite.

GEW 2025 u finalizua me pjesëmarrjen e Junior Achievement of Albania si partner në FEUT Startup Idea Competition, një konkurs i Universitetit të Ekonomisë Tiranë, ku të rinjtë prezantuan idetë e tyre inovative dhe morën feedback nga profesionistë dhe aktorë të ekosistemit.

JA Albania mbetet e përkushtuar t’u ofrojë të rinjve në çdo qytet të Shqipërisë një hapësirë ku idetë dëgjohen, zhvillohen dhe kthehen në histori suksesi jo vetëm gjatë GEW, por çdo ditë të vitit.