Junior Achievement of Albania zhvilloi takime me nxënësit për aftësi dhe karrierë në kuadër të Skill Alb

Junior Achievement of Albania zhvilloi këtë javë një seri sesionesh informuese në katër qytete: Lezhë, Tiranë, Korçë dhe Berat, me qëllim prezantimin e të rinjve me mundësitë që ofrojnë sipërmarrja dhe inovacioni. Aktivitetet u organizuan në kuadër të programit Skill Alb, duke u fokusuar në rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve mbi rëndësinë e aftësive digjitale, profesionale dhe sipërmarrëse në tregun e punës që po evoluon vazhdimisht. Përmes Skill Alb, pjesëmarrësit pajisen me aftësi praktike që i ndihmojnë të lidhin arsimin me punësimin dhe të përshtaten me kërkesat e një tregu pune që ndryshon shpejt.

Gjatë takimeve, përfaqësuesit e JA prezantuan mënyrat se si të rinjtë mund të transformojnë një ide të thjeshtë në një projekt të strukturuar dhe të qëndrueshëm, duke theksuar rolin e kreativitetit, bashkëpunimit dhe mendimit kritik. Nxënësit morën pjesë aktive në diskutime dhe shfaqën interes të madh për procesin e zhvillimit të një ideje biznesi dhe mundësitë që ata kanë për ta çuar atë më tej.

Junior UP 5.0 - programi që i udhëheq të rinjtë nga ideja tek rritja

Në qendër të sesioneve ishte prezantimi i Junior UP 5.0, programi i inkubimit që mbështet të rinjtë në ndërtimin e startup-eve të tyre. Programi u prezantua si një udhëtim i plotë sipërmarrës, ku pjesëmarrësit kalojnë përmes fazës së idesë, zhvillimit të produktit minimal dhe ndërtimit të një strategjie të qëndrueshme rritjeje.

Junior UP 5.0 u ofron të rinjve:

  • Trajnim dhe mentorim nga ekspertë të fushës

  • Mbështetje financiare deri në 10,000 EUR për startup-et me potencial të lartë

  • Mundësi ekspozimi ndërkombëtar, përfshirë pjesëmarrjen në GEN-E 2025 European Entrepreneurship Festival

  • Mbështetje të vazhdueshme për strukturimin e planit të biznesit dhe për rritjen e mëtejshme të projektit.

Pjesëmarrësit u njohën me fazat kryesore të programit, nga aplikimi e deri tek Demo Day, ku startup-et prezantojnë idetë e tyre përballë profesionistëve dhe partnerëve mbështetës.

Prezantimi solli edhe shembuj konkretë të ndikimit që Junior UP ka pasur ndër vite. Deri më sot, programi ka:

  • mbështetur financiarisht 13 startup-e,

  • përfshirë në procesin e inkubimit 36 ekipe,

  • pritur 106 aplikime nga të rinj nga e gjithë Shqipëria,

  • ofruar 124,000 USD në grante sipërmarrëse.

Startup-et pjesëmarrëse kanë gjeneruar së bashku mbi 700,000 euro të ardhura, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej 48% krahasuar me vitin e kaluar. Këto rezultate konfirmojnë rolin e JA-së në krijimin e një kulture të mendimit ndërmarrës dhe në nxitjen e të rinjve për të ndërtuar iniciativa me ndikim afatgjatë. Shkollat pjesëmarrëse në turin informues

Në Lezhë, më 9 Dhjetor, turit iu bashkuan nxënës nga Shkolla “Shën Jozefi Punëtor” në Rrëshen, nga Shkolla “Ndre Mjeda” në Bushat, si edhe nga Shkolla “Kolin Gjoka” në Lezhë, të cilët u angazhuan aktivisht në diskutimet rreth sipërmarrjes dhe mundësive që ofron Junior UP 5.0.

Dita e dytë e turit, më 10 Dhjetor në Tiranë, solli pjesëmarrjen e nxënësve të Shkollës Profesionale “Charles Telford Erikson” në Golem, të Qendrës së Formimit Profesional Nr. 1 dhe Qendrës së Formimit Profesional Nr. 4, si dhe të studentëve të Canadian Institute of Technology (CIT), të cilët shprehën interes të madh për programet e JA dhe për mënyrën se si mund të zhvillojnë ide të qëndrueshme biznesi.

Më 11 Dhjetor, në Korçë, turit iu bashkuan Shkolla Profesionale Teknike dhe Shkolla Profesionale Shërbime, ku nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me procesin e inkubimit dhe me mbështetjen që ofron Junior UP në fazat e zhvillimit të një startup-i.

Ndalesa e fundit, më 12 Dhjetor në Berat, përfshiu pjesëmarrjen e nxënësve nga Qendra Sociale “Murialdo” në Fier, si edhe të shkollave “Kristo Isak” dhe “Stiliano Bandilli” në Berat. Të rinjtë e këtyre institucioneve morën pjesë me interes të veçantë në diskutimet për sipërmarrjen dhe mundësitë e konkursit të startupeve 2026.

Junior Achievement of Albania mbetet e përkushtuar të jetë pranë të rinjve shqiptarë, duke i mbështetur në zhvillimin e aftësive, ideve dhe iniciativave që mund të shndërrohen në histori suksesi.