Dita e Inovacionit në Piramidën e Tiranës

“Dita e Inovacionit në Piramidë” është një seri aktivitetesh të konceptuara në formën e vizitave edukative dhe ndërvepruese, të zhvilluara në Piramidën e Tiranës gjatë periudhës 9 Tetor 2025 - 12 Dhjetor 2025

Këto aktivitete u zhvilluan në kuadër të projektit “Java e Kodimit”, organizuar nga Qendra Rajonale (Regional Hub) e CodeWeek  për Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo Qendër Rajonale menaxhohet nga Junior Achievement of Albania.

Gjatë periudhës së aktiviteteve, 140 nxënës të klasave VI–IX nga shkollat “Ali Demi”, “Osman Myderizi”, “Avni Rustemi”, “Bashkim Fino”, “Lasgush Poradeci” dhe “Pal Engjëlli” kanë marrë pjesë në këtë përvojë unike mësimore, e cila synon të ndërthurë njohuritë e marra në bankat e shkollës me praktikat digjitale. Këto aktivitete kanë si synim nxitjen e interesit të të rinjve drejt fushave të ndryshme teknologjike, kreativitetit dhe të nxënit digjital, përmes sesioneve praktike dhe ndërvepruese.

Gjatë këtyre ditëve, nxënësit përjetuan një eksperiencë edukative në një nga hapësirat më inovative të Tiranës. Pas një prezantimi hyrës mbi historinë dhe transformimin e Piramidës së Tiranës, ata u angazhuan në sfidat praktike në ambientet e TUMO Tirana, ku punuan në disiplina të ndryshme si kodimi, robotika dhe teknologjitë kreative.

Nxënësit u asistuan dhe u mentoruan gjatë gjithë procesit nga trajnerët e TUMO Albania, të cilët i udhëhoqën hap pas hapi në zhvillimin e ideve, zgjidhjen e problemeve dhe bashkëpunimin në grup.

Në përfundim të çdo aktiviteti, nxënësit ndanë përvoja dhe reflektime mbi punën e realizuar, duke prezantuar idetë e tyre dhe duke forcuar aftësitë e komunikimit dhe prezantimit.