Junior Achievement of Albania e ktheu Piramidën e Tiranës në një qendër të debatit shkollor, ku nga 3 deri më 5 tetor 2025 u zhvillua Konkursi Kombëtar i Debatit për Shkollat e Mesme, një aktivitet edukues që promovon mendimin kritik, komunikimin efektiv dhe kulturën e dialogut mes të rinjve.
Për tri ditë me radhë, rreth 180 nxënës debatues dhe mësues mentorë, të mbështetur nga një grup gjyqtarësh të trajnuar, u përfshinë në një program të pasur me raunde debati, workshop-e formuese dhe aktivitete ndërvepruese, të cilat synojnë zhvillimin e aftësive të komunikimit, bashkëpunimit dhe mendimit kritik tek të rinjtë.
Ky ishte viti i parë që konkursi u zhvillua në një format kombëtar, ku 36 shkolla nga gjithë Shqipëria u mblodhën në një hapësirë, pa ndarje rajonale.
Në total u zhvilluan mbi 60 debate, të ndara në raunde eliminatore, çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale, me tema që lidhnin teknologjinë, ekonominë dhe përgjegjësinë shoqërore. Raundet e para trajtuan idenë e “Ditës blackout”, si një mënyrë për të reflektuar mbi varësinë nga teknologjia dhe ndikimin e saj në produktivitet dhe mirëqenie. Në raundet pasuese, debatuesit diskutuan mbi përdorimin e inteligjencës artificiale nga bizneset për të ndikuar sjelljen e konsumatorëve, duke hapur çështje që prekin etikën e tregut dhe sjelljen ekonomike të kompanive moderne. Finalja u përqendrua te siguria kibernetike, si një faktor që ndikon drejtpërdrejt në ekonominë digjitale dhe besimin në tregun online, duke theksuar se sfidat më të mëdha të epokës digjitale lidhen me ndërgjegjësimin dhe sjelljen njerëzore, më shumë sesa me teknologjinë vetë.
Përveç debatit, pjesëmarrësit morën pjesë në workshop-e të drejtuara nga Alumni të JAA, ku u trajtuan tema si ndërtimi i argumenteve bindëse, përdorimi i mendimit kritik në analizën e çështjeve dhe lidhja mes aftësive të debatit dhe tregut të punës, komunikimit efektiv dhe bashkëpunimit profesional.
Atmosfera në Piramidë u karakterizua nga energji, bashkëpunim dhe respekt për mendimet e ndryshme, duke e bërë këtë konkurs një përvojë të rëndësishme për zhvillimin personal dhe akademik të nxënësve pjesëmarrës.
finalja “TES” vs. “Harry T. Fultz”
Pas një gare të fortë dhe të mirëstrukturuar, skuadra e Gjimnazit “TES” u shpall fituese e Konkursit Kombëtar të Debatit 2025.
Konkursi Kombëtar i Debatit është pjesë e programeve të Junior Achievement of Albania që nxisin kompetencat qytetare dhe ekonomike tek të rinjtë shqiptarë.
Përmes debatit, nxënësit mësojnë të argumentojnë me logjikë, të dëgjojnë me respekt dhe të ndërtojnë komunikim të shëndetshëm, duke u përgatitur për të qenë qytetarë aktivë dhe bashkëpunues në shoqëri.
Në këtë konkurs morën pjesë shkollat e mesme:
“16 Shtatori” Shijak, “Ahmet Dakli” Elbasan, “Aleksandër Markacini” Kuçovë, “Arianiti” Elbasan, “Arben Broci” Tiranë, “Babë Dudë Karbunara” Berat, “Bardhyl Pojani” Korçë, “Dhaskal Todri” Elbasan, “Ernest Koliqi” Tiranë, “Fiqiri Dine” Maqellarë, “Flatrat e dijes” Fier, “Halim Xhelo” Vlorë, “Halit Berzeshta” Prrenjas, “Hasan Tahsini” Sarandë, “Havzi Nela” Kukës, Instituti “Harry T. Fultz” Tiranë, “Ismail Qemali” Tiranë, Lezha Academic Center, “Kostandin Kristoforidhi” Elbasan, “Mahir Domi” Elbasan, “Naim Frashëri” Durrës, “Oso Kuka” Shkodër, “Partizani” Tiranë, “Petro Nini Luarasi” Tiranë, “Platon” Korçë, “Qemal Stafa” Tiranë, “Said Najdeni” Peshkopi, “Sami Frashëri” Përmet, “Sami Frashëri” Tiranë, “Shefqet Guzi” Gramsh, “Sherif Hoxha” Koplik, “TES” Tiranë, “Tefta Tashko Koço” Korçë, “Ymer Dishnica” Korçë.”

