Trajnim Rajonal për Edukatorë në Strugë në kuadër të projektit DEAL

Nga data 19 deri më 24 shtator 2025, u zhvillua aktiviteti i parë në kuadër të projektit DEAL – Debate Education for Active Local Participation, Trajnimi Rajonal për Edukatorët.

Në këtë trajnim morën pjesë 10 përfaqësues nga Junior Achievement of Albania, përfshirë anëtarë të stafit, koordinatorë të Klubeve të Debatit dhe gjyqtarë, të cilët u bashkuan me kolegë nga Kroacia dhe Maqedonia e Veriut. Aktiviteti synoi forcimin e kapaciteteve të edukatorëve dhe youth workers për përdorimin e debatit si mjet edukativ për rritjen e pjesëmarrjes qytetare dhe mendimit kritik te të rinjtë.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione teorike dhe praktike mbi funksionimin e Klubeve të Debatit, përdorimin e metodave joformale në punën me të rinjtë, etikën në youth work, si dhe vlerësimin dhe gjykimin e debateve. Programi përfshiu ushtrime praktike, punë në grup dhe shkëmbim përvojash mes organizatave partnere.

Projekti DEAL zbatohet nga Croatian Debate Society, në partneritet me Junior Achievement of Albania dhe Youth Educational Forum (YEF) nga Maqedonia e Veriut, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë. Trajnimi në Strugë përbën një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një rrjeti rajonal edukatorësh të angazhuar në promovimin e debatit, demokracisë dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve në komunitet.