JA Alumni Conference 2025 – Shqipëria pjesë e frymës evropiane të sipërmarrjes

Në fund të muajit gusht, qyteti i Këlnit priti qindra të rinj sipërmarrës nga i gjithë kontinentit për konferencën më të madhe të rrjetëzimit dhe zhvillimit personal të organizuar nga JA Alumni Europe – JA Alumni Conference 2025, me temën “SPIRIT”.

Kjo konferencë, e cila zhvillohet çdo vit në një vend të ndryshëm të Europës, mblodhi së bashku alumni të Junior Achievement për të ndarë përvoja, për të ndërtuar rrjete të reja dhe për të fituar frymëzim për të ardhmen e tyre profesionale dhe sipërmarrëse. Përgjatë pesë ditëve të konferencës, pjesëmarrësit u përfshinë në masterclass-e, sesione rrjetëzimi dhe aktivitete kulturore që thelluan frymën e vizionit, bashkëpunimit dhe lidershipit.

Shqipëria këtë vit u përfaqësua me krenari nga Anxhela Zeneli, presidente e Bordit të JA Alumni Albania, dhe Redisa Gjinaj, menaxhere e Rekrutimit dhe Zhvillimit në bord. Pjesëmarrja e tyre ishte një dëshmi e kontributit dhe angazhimit të të rinjve shqiptarë në rrjetin më të madh evropian të alumni-t të Junior Achievement.

Një moment i veçantë për rrjetin shqiptar ishte vlerësimi me Çmimin e Bronzit për arritjet e shënuara gjatë vitit 2024–2025 – një njohje domethënëse që tregon forcën dhe zhvillimin e JA Alumni Albania në vetëm pak vite.

📌 Dhe kulmi i konferencës: u shpall lajmi i madh se JA Alumni Conference 2026 do të mbahet në Tiranë. Ky vendim e vendos Shqipërinë në qendër të vëmendjes evropiane, duke sjellë në kryeqytet qindra të rinj nga i gjithë kontinenti për një eksperiencë unike bashkëpunimi, inovacioni dhe rrjetëzimi.

JA Alumni Conference 2025 shënoi një tjetër moment kulmor në rrugëtimin e JA Alumni Albania dhe Europe, duke forcuar bashkëpunimin dhe duke u dhënë të rinjve mundësinë të lidhen me ide, njerëz dhe përvoja që do të ndikojnë në të ardhmen e tyre.