Shqipëria fiton Çmimin e Publikut në GEN-E 2026 në Riga

Junior Achievement of Albania u përfaqësua nga sipërmarrësit e rinj të vendit në GEN-E 2026, festivalin më të madh të sipërmarrjes në Europë, që u zhvillua këtë vit në Riga të Letonisë. Kompania fituese kombëtare e Shqipërisë, Biocel, një kompani nxënësish nga shkolla e mesme "Qemal Stafa", u përball me disa nga idetë më të mira sipërmarrëse të kontinentit, me zgjidhjen e saj inovative për qese plastike të biodegradushme.

Pas disa ditësh intensive në skenën europiane, Biocel fitoi një nominim për një nga Çmimet Speciale (Signature Awards) të GEN-E dhe arriti të fitonte një nga çmimet kryesore, Çmimin e Publikut, i cili u jepet kompanisë me numrin më të lartë të votave nga publiku në gjithë Europën.

Delegacioni shqiptar, i udhëhequr nga Kryetari i Bordit të Drejtorëve të JAA, Z. Martin Mata, Bashkëdrejtor Ekzekutiv i Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, si dhe skuadra dhe stafi i JAA, ndanë me krenari momentet e ngritjes së flamurit shqiptar në skenën europiane të sipërmarrjes rinore, si dhe sesionet aktive mbi sfidat e edukimit dhe sipërmarrjes në një botë në ndryshim.

Ky triumf është një moment krenarie për JA Albania dhe një dëshmi e fuqishme e asaj që rinia shqiptare mund të arrijë kur i jepen mjetet për të menduar guximshëm dhe për të ndërtuar zgjidhje reale. Nga një klasë në Tiranë deri në skenën e Rigas, udhëtimi i Biocel tregon se një ide e mirë, dhe guximi për ta ndjekur atë, mund të shkojë më larg nga sa mund të imagjinojmë.