“Kthema Gati” përfaqësoi Shqipërinë në GEN-E Europe 2026

Startup-i “Kthema Gati” përfaqësoi Shqipërinë në GEN-E Europe 2026, festivalin më të madh europian të sipërmarrjes, i zhvilluar në Riga, Letoni, më 7–9 Korrik 2026.

I organizuar nga JA Europe në bashkëpunim me JA Latvia, GEN-E Europe mblodhi mbi 1,000 sipërmarrës të rinj, edukatorë, drejtues biznesesh, investitorë dhe partnerë nga më shumë se 40 vende evropiane. Përgjatë tre ditëve të aktivitetit, startup-et prezantuan idetë e tyre inovatore, morën pjesë në sesione frymëzuese, aktivitete rrjetëzimi dhe shkëmbyen eksperienca me të rinj nga e gjithë Europa.

Shqipëria u përfaqësua në kategorinë “University Level Startup” nga “Kthema Gati”, startup fitues i edicionit të pestë të programit të inkubimit dhe akselerimit Junior UP, i organizuar nga Junior Achievement of Albania. Ekipi prezantoi zgjidhjen e tij për menaxhimin e shërbimeve të automjeteve, e cila u mundëson klientëve të koordinojnë transportin e makinës drejt servisit dhe të ndjekin të gjithë procesin pa qenë të pranishëm fizikisht.

Pjesëmarrja e “Kthema Gati”GEN-E Europe 2026 shënoi një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e startup-it, nga zhvillimi i idesë dhe mentorimi në Shqipëri, deri te prezantimi i saj në skenën evropiane.

Përmes programeve të saj, Junior Achievement of Albania vijon të fuqizojë të rinjtë shqiptarë, duke i mbështetur në kthimin e ideve në sipërmarrje dhe duke u hapur dyert drejt mundësive kombëtare dhe ndërkombëtare.