IDEA Youth Forum 2026 – Nxënësit shqiptarë në Pragë

Nxënës nga shkolla “TES” përfaqësuan Shqipërinë në IDEA Youth Forum 2026, i zhvilluar nga 6 deri më 13 Korrik 2026Pragë, Çeki.

IDEA Youth Forum është një nga aktivitetet kryesore të International Debate Education Association (IDEA) dhe organizohet në kuadër të programit Erasmus+ Youth Exchange. Aktiviteti bashkon të rinj nga vende të ndryshme të Evropës për të mësuar, bashkëpunuar dhe diskutuar mbi tema shoqërore dhe politike përmes debatit.

Edicioni i këtij viti kishte në fokus të veçantë përfshirjen aktive të vetë pjesëmarrësve në procesin e të nxënit. Gjatë ditëve të para, të rinjtë morën pjesë në workshop-e të propozuara dhe të zhvilluara nga vetë pjesëmarrësit, me mbështetjen dhe udhëzimin e trajnerëve të IDEA. Kjo qasje u dha mundësi nxënësve të ndanin njohuritë dhe eksperiencat e tyre, të punonin me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme dhe të merrnin një rol aktiv në zhvillimin e programit.

Nga 9 deri më 12 Korrik, programi u fokusua në trajnimin praktik në debat, ku pjesëmarrësit punuan për zhvillimin e aftësive të argumentimit, mendimit kritik, komunikimit dhe të folurit në publik. Përmes punës në grup dhe debateve praktike, të rinjtë patën mundësi të përballeshin me perspektiva të ndryshme dhe të përmirësonin aftësitë e tyre në një mjedis ndërkombëtar.

Delegacioni shqiptar, i përbërë nga nxënës të shkollës “TES”, u përfshi në aktivitetet e programit së bashku me delegacionet e tjera evropiane. Përveç zhvillimit të aftësive në debat, pjesëmarrja në Forum krijoi mundësi për shkëmbim kulturor, peer learning dhe krijimin e lidhjeve me të rinj nga vende të ndryshme të Evropës.

Pjesëmarrja në IDEA Youth Forum 2026 u ofroi nxënësve shqiptarë një eksperiencë ndërkombëtare të të nxënit, duke i ndihmuar të zhvillojnë më tej mendimin kritik, komunikimin, bashkëpunimin dhe aftësinë për të diskutuar dhe argumentuar mbi çështje me rëndësi shoqërore.