Nga data 24 deri më 29 Gusht 2026, në Brno, Çeki, u zhvillua IDEA Debate Exchange 2026, organizuar nga rrjeti ndërkombëtar International Debate Education Association (IDEA). Aktiviteti mblodhi së bashku të rinj, trajnerë, vullnetarë dhe përfaqësues të organizatave të debatit nga vende të ndryshme të Europës, përmes një programi të fokusuar në bashkëpunim, shkëmbim eksperiencash dhe zhvillim të mëtejshëm të edukimit përmes debatit.
Në këtë edicion, Shqipëria u përfaqësua nga studentë debatues të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, pjesë e programit “Debating Economics”, të implementuar nga Junior Achievement of Albania. Pjesëmarrja e tyre erdhi si vazhdimësi e angazhimit në aktivitetet kombëtare të debatit të zhvilluara gjatë vitit akademik.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit u përfshinë në workshop-e dhe sesione të drejtuara nga vetë pjesëmarrësit, duke ndarë eksperienca dhe praktika nga komunitetet e tyre të debatit. Programi trajtoi tema të lidhura me metodologjinë e debatit, qasjet e trajnimit dhe coaching-ut, punën me të rinjtë, si dhe zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e organizatave të debatit.
Për studentët shqiptarë, IDEA Debate Exchange 2026 ishte një mundësi për të zhvilluar më tej aftësitë e tyre, për të shkëmbyer eksperienca dhe për t’u lidhur me komunitetin ndërkombëtar të debatit.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet është pjesë e mundësive që programi Debating Economics krijon për të rinjtë shqiptarë, duke i mbështetur në zhvillimin e mendimit kritik, komunikimit argumentues dhe aftësive të debatit, si dhe duke u ofruar mundësi për eksperienca dhe shkëmbime ndërkombëtare.
