630 nxënës nga shkollat e mesme të përgjithshme dhe profesionale morën pjesë në tre trajnime intensive të programit “Kompania e Nxënësve”, gjatë periudhës Dhjetor 2025 – Mars 2026. Ata testuan idetë e tyre, zhvilluan plane konkrete biznesi dhe fituan aftësi praktike për menaxhimin e një kompanie nxënësish.
Nxënësit morën pjesë në 13 sesione trajnimi, të strukturuara rreth tre temave kryesore. Nga Design Thinking, menaxhimi i projektit dhe i buxhetit, deri te raportimi dhe komunikimi, nxënësit zhvilluan plane konkrete për kompanitë e tyre, analizuan tregun dhe vendosën objektiva të qarta për idetë e biznesit. Ata ndanë përgjegjësitë, organizuan aktivitetet dhe praktikuan bashkëpunimin gjatë menaxhimit të kompanisë së tyre të nxënësve, si edhe prezantuan produktet dhe shërbimet duke përgatitur pitch-e, fillimisht para bashkëmoshatarëve dhe më pas para mentorëve.
Përvoja e nxënësve
“Më pëlqeu mënyra se si arritëm t’i kthenim idetë tona në një plan konkret biznesi. Ishte shumë emocionuese të punonim si ekip dhe të arrinim këtë rezultat,” u shpreh një nxënës pas përfundimit të ciklit të trajnimeve.
Hapi i radhës për nxënësit është pjesëmarrja në Festivalin Rajonal të Kompanive të Nxënësve në Prill 2026, i cili do të pasohet nga Festivali Kombëtar. Kompania fituese do të ketë mundësinë të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian GEN-E 2026, i cili këtë vit do të zhvillohet në Riga, Letoni, ku nxënësit do të prezantojnë idetë dhe kompanitë e tyre përpara një audience ndërkombëtare.
