Junior Achievment of Albania në IDEA Debate Exchange 2025

Nga data 18 deri më 23 gusht 2025, në Varshavë, Poloni, u zhvillua aktiviteti ndërkombëtar IDEA Debate Exchange 2025, organizuar nga rrjeti ndërkombëtar International Debate Education Association (IDEA). Ky shkëmbim njëjavor mblodhi së bashku studentë të debatit, trajnerë dhe aktivistë nga vende të ndryshme të Europës përmes një programi të pasur me sesione trajnimi, workshope interaktive dhe diskutime tematike.

Në këtë edicion, Shqipëria u përfaqësua nga një grup i përzgjedhur pjesëmarrësish në role të ndryshme si gjyqtarë, studentë debatues nga Klubi i Debatit i Universitetit Epoka, dhe përfaqësues të programit “Debating Economics” të implementuar nga Junior Achievement of Albania. Pjesëmarrja e tyre u bë e mundur si rrjedhojë e angazhimit dhe rezultateve të arritura në aktivitetet kombëtare të debatit gjatë vitit akademik.

Nga pjesëmarrës në drejtues workshop-i: një zhvillim i natyrshëm për alumnit e JAA

Një nga aspektet më të veçanta të këtij edicioni ishte kontributi i alumnive të Junior Achievement of Albania, të cilët morën pjesë si facilitues të workshop-eve dhe sesioneve tematike. Kjo tregon si programet e JAA mundësojnë për të rinjtë zhivillim në vazhdimësi, nga pjesëmarrja si debatues, në trajnerë që diskutojnë dhe frymëzojnë të rinjtë edhe në nivel ndërkombëtar.

Temat e trajtuara përfshinë çështje aktuale si përdorimi i inteligjencës artificiale në gjykimin e debateve, lidhja mes debatit dhe inovacionit, si dhe roli i identitetit europian në formësimin e trajnimeve për debat. Një nga alumnit gjithashtu facilitoi një Deep Dive Session, ku u ndanë mjete konkrete për matjen dhe rritjen e ndikimit qytetar përmes debatit.

Debating Economics, një platformë zhvillimi për të rinjtë

Pjesëmarrja në IDEA Debate Exchange 2025 dëshmon edhe një herë rëndësinë e programeve si Debating Economics, i cili ka krijuar hapësira për zhvillim të të menduarit kritik, komunikimit argumentues dhe aftësive lidershipi tek të rinjtë shqiptarë. Këto aftësi, të mbështetura nga një kontekst ndërkombëtar bashkëpunimi dhe rrjetëzimi, e vendosin edukimin përmes debatit në qendër të përgatitjes për qytetari aktive dhe karrierë të qëndrueshme.