📍 Tiranë, 29 maj 2025 – Emocione, frymëzim dhe vizione për të ardhmen! Sot, 80 nxënës nga 50 shkolla të mesme nga e gjithë Shqipëria u bënë pjesë e një eksperience që shumë e quajnë pikënisjen e rrugëtimit të tyre profesional: “Drejtues për një Ditë 2025”. Ata u mirëpritën nga 42 drejtues të lartë të bizneseve, institucioneve dhe organizatave kryesore në vend, për të kaluar një ditë të plotë pranë tyre – një ditë që do të lërë gjurmë të pashlyeshme në formimin e tyre si liderët e së nesërmes.
Ky aktivitet unik, i organizuar nga Junior Achievement of Albania, përmbyll një vit të tërë përfshirjeje, ku mbi 2,000 të rinj kanë ndjekur modulin e veçantë “Drejtues për një Ditë” në 50 shkolla të arsimit të mesëm. Përmes këtij programi 36-orësh, të rinjtë mësojnë se si të ndërtojnë vetëbesimin, të marrin përgjegjësi, të punojnë në grup dhe të zhvillojnë aftësi që nuk mësohen vetëm në libra – por në jetë!
Sot, më të përkushtuarit mes tyre, patën mundësinë të kalojnë një ditë në zyrat ekzekutive, në mbledhje të rëndësishme, në vendimmarrje reale. Ata panë nga afër se çfarë do të thotë të jesh në krye – jo vetëm të një kompanie, por të vizionit, të guximit dhe të ndikimit.
Në 13 vite rrugëtim, programi “Drejtues për një Ditë” ka ndikuar mbi 20,000 nxënës, ndërsa 580 prej tyre janë përzgjedhur për t’u takuar nga afër me drejtuesit më të suksesshëm të vendit. Për disa, kjo ka sjellë mundësi praktike pune, për të tjerë – punësime afatgjata. E për të shumtë – ka qenë momenti kur kanë vendosur të ndërtojnë diçka të tyren.