Demo Day shpall fituesit e Programit të Inkubimit dhe Akselerimit të Startupeve në kuadër të projektit SkillALB

1 Qershor 2026, Junior Achievement of Albania organizoi Demo Day, eventin përmbyllës të Programit të Inkubimit dhe Akselerimit të Startupeve, i zhvilluar në bashkëpunim me ENGIM dhe AKPA, në kuadër të projektit SkillALB.

Pas disa muajsh trajnimesh, workshop-esh, mentorimi dhe zhvillimi të ideve të biznesit, 14 startup-e prezantuan zgjidhjet e tyre përpara një jurie të përbërë nga ekspertë të sipërmarrjes dhe përfaqësues të ekosistemit të inovacionit.

Gjatë Demo Day, çdo ekip prezantoi progresin e arritur gjatë programit, modelin e biznesit dhe vizionin për zhvillimin e mëtejshëm të startup-it.

Në përfundim të eventit, dy startup-e u shpallën fituese të një granti mbështetës prej 10,000 Euro secila:

UFO Media Production – 10,000 Euro

Një studio kreative që ofron shërbime fotografie, videografie dhe krijimi të përmbajtjes digjitale. Me fokus te cilësia, kreativiteti dhe storytelling-u, studioja krijon përmbajtje vizuale profesionale që ndihmon bizneset dhe individët të promovojnë identitetin e tyre dhe të krijojnë një lidhje më të fortë me audiencën.

Animal Care Hub – 10,000 Euro

Një startup që ofron shërbime dhe produkte të dedikuara për kujdesin dhe mirëqenien e kafshëve shtëpiake. Me një qasje të përqendruar te siguria, komoditeti dhe kujdesi profesional, Animal Care Hub sjell në një vend shërbime të ndryshme për të ndihmuar pronarët të sigurojnë jetën më të mirë të mundshme për kafshët e tyre.

Junior Achievement of Albania falënderon të gjitha startup-et pjesëmarrëse, mentorët, anëtarët e jurisë dhe partnerët ENGIM dhe AKPA për kontributin e tyre në realizimin e këtij programi. Përmes projektit SkillALB, të rinjtë u pajisën me njohuri praktike, mentorim dhe mbështetje për të zhvilluar ide inovative dhe për t'i kthyer ato në biznese me potencial për tregun shqiptar.