Sipërmarrja vjen në Shkodër: Të rinjtë prezantojnë kompanitë e tyre kreative!

Pedonalja e Shkodrës u mbush më 17 Prill 2025 me të rinj, produkte inovative dhe plane biznesi, ku 240 nxënës nga 13 shkolla të Shqipërisë prezantuan 48 kompani të krijuara prej tyre, si pjesë e programit “Kompania e Nxënësve” të Junior Achievement of Albania (JAA).

Festivali Rajonal i Kompanive të Nxënësve është një nga aktivitetet më të rëndësishme të programit, që prej 13 vitesh i jep të rinjve mundësinë të zhvillojnë aftësi konkrete për tregun e punës dhe jetën reale: menaxhim financiar, krijim produktesh, punë në grup, vendimmarrje dhe udhëheqje të një kompanie.

Përmes këtij moduli mësimor me zgjedhje, nxënësit angazhohen në një rrugëtim të vërtetë sipërmarrës, duke kthyer idetë në biznese funksionale dhe duke përjetuar sfidat dhe përgjegjësitë e drejtimit të një kompanie që nga fillimi.

Gjatë vitit shkollor 2024–2025, programi është zhvilluar në 41 shkolla të arsimit të mesëm të lartë, duke përfshirë mbi 1,900 nxënës dhe mbi 50 mësues, që kanë kontribuar me përkushtim në formimin e brezit të ardhshëm të sipërmarrësve shqiptarë.

Ky aktivitet u realizua falë mbështetjes strategjike të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bashkinë Shkodër dhe mbështetjen financiare të Tirana Bank. Junior Achievement of Albania mbetet i përkushtuar në misionin për të fuqizuar të rinjtë përmes edukimit sipërmarrës dhe për t’i përgatitur për një të ardhme më të sigurt dhe më të suksesshme.