Mendje të Reja, Ide të Mëdha: Kompanitë e Nxënësve shkëlqejnë në Berat!

9 Prill 2025, pedonalja e qytetit të Beratit u kthye në një treg plot energji rinore, kreativitet dhe ide biznesi, ku 200 nxënës nga 14 shkolla të ndryshme në Shqipëri prezantuan 40 kompani të krijuara prej tyre, si pjesë e programit “Kompania e Nxënësve” të Junior Achievement of Albania (JAA).

Ky aktivitet, i njohur si Festivali Rajonal i Kompanive të Nxënësve, është tashmë një traditë 13-vjeçare e JAA, që u ofron të rinjve mundësinë të zhvillojnë aftësi sipërmarrëse dhe të përgatiten për tregun e punës përmes përvojave praktike.

Kompanitë e nxënësve ishin fryt i një pune disa mujore, ku të rinjtë u angazhuan në menaxhim financiar, krijim të ideve, marrje vendimesh, punë në grup dhe udhëheqje – aftësi thelbësore për sukses në një treg pune gjithnjë në zhvillim.

Gjatë vitit shkollor 2024–2025, moduli “Kompania e Nxënësve” u zhvillua në 41 shkolla të arsimit të mesëm, duke përfshirë mbi 1,900 nxënës, të mbështetur nga më shumë se 50 mësues të përkushtuar. Këta të rinj janë tashmë të pajisur jo vetëm me njohuri, por edhe me aftësi thelbësore të shekullit XXI si kreativiteti, puna në grup, vetëbesimi dhe përgjegjësia.

Ky aktivitet u realizua falë mbështetjes strategjike të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në partneritet me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Bashkinë Berat, si dhe me mbështetjen financiare të Tirana Bank. Përmes këtyre bashkëpunimeve, edukimi sipërmarrës vazhdon të fuqizojë të rinjtë shqiptarë, duke i kthyer idetë në mundësi konkrete për sukses.