Mbi 400 mësues pjesë e trajnimeve të JA Albania për edukimin financiar dhe lidershipin

Gjatë këtij viti, Junior Achievement Albania vijoi të investojë në zhvillimin profesional të mësuesve, duke trajnuar dhe akredituar mbi 400 mësues në programe që synojnë zhvillimin e aftësive për nxënësit.

Rreth 220 mësues të arsimit parauniversitar u trajnuan për modulin "Financat Personale", ndërsa 190 mësuese të arsimit parashkollor u akredituan për modulin "Vetvetja". Trajnimet u zhvilluan në Durrës, Elbasan, Dibër, Gjirokastër, Pogradec, Berat, Shkodër dhe Tiranë, duke forcuar kapacitetet e mësuesve për të zbatuar metoda bashkëkohore të mësimdhënies.

Njëkohësisht, 18 mësues të arsimit të mesëm u akredituan për modulin "Lider për një Ditë", i cili u ofron nxënësve mundësinë të zhvillojnë aftësi lidershipi, vetëbesim dhe aftësi të buta përmes të nxënit praktik.

Përmes këtyre trajnimeve, mësuesit pajisen me njohuritë, metodologjitë dhe mjetet e nevojshme për të zbatuar mësimdhënien e bazuar në përvojë. Në këtë mënyrë, ata kontribuojnë që mijëra nxënës të zhvillojnë aftësi financiare, sipërmarrëse dhe personale, të domosdoshme për përgatitjen e tyre për jetën dhe tregun e punës.