Lançimi i projektit Europian YSBE Net: Youth Social Business Entrepreneurship Network

Junior Achievement Albania, së bashku me Junior Achievement Romania dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, ka nisur zbatimin e projektit europian YSBE Net – Youth Social Business Entrepreneurship Network, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian në kuadër të Programit Erasmus+.

Projekti do të zbatohet gjatë një periudhe 24-mujore, në kuadër të thirrjes ERASMUS-YOUTH-2025-CB-WB, dhe ka nisur zyrtarisht më 1 nëntor 2025. YSBE Net po realizohet në partneritet me Junior Achievement Romania, Junior Achievement Albania, Junior Achievement Cyprus, Junior Achievement Bulgaria, Junior Achievement North Macedonia, Junior Achievement Montenegro dhe Merci Charity Boutique. Në aktivitetet ndërkombëtare të projektit do të përfshihen gjithashtu Junior Achievement Turkey dhe Junior Achievement Serbia, si vende partnere.

YSBE Net synon të forcojë edukimin në sipërmarrjen sociale për të rinjtë, si dhe të mbështesë organizatat rinore në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme për zbatimin e programeve me ndikim social. Projekti adreson nevojën në rritje për zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe të inovacionit social në rajon, duke krijuar hapësira për të rinjtë që të angazhohen aktivisht në zhvillimin e komuniteteve të tyre.

Eventi ndërkombëtar i lançimit të projektit – Shkurt 2026, Qipro

Eventi zyrtar i nisjes së projektit do të organizohet në shkurt 2026 në Qipro, me pjesëmarrjen e të gjithë partnerëve të konsorciumit. Gjatë eventit do të prezantohen objektivat, struktura dhe aktivitetet kryesore të projektit, si dhe do të diskutohen mundësi bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash mes organizatave partnere. Pjesëmarrja e vendeve partnere do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar.

Përmes aktiviteteve të tij, YSBE Net synon të mbështesë organizatat rinore që të zhvillohen si qendra reference në edukimin sipërmarrës, duke promovuar qasje inovative dhe të qëndrueshme në fushën e sipërmarrjes sociale. Projekti do të nxisë angazhimin e të rinjve në proceset e inovacionit social, do të forcojë bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe social afatgjatë të rajonit.