Më 6 dhe 7 nëntor 2026, nxënës nga shkolla të mesme të të gjithë Shqipërisë u bënë pjesë e Kampionatit Kombëtar të Debatit 2026, organizuar Online nga Junior Achievement of Albania. Me 150 pjesëmarrës, nxënës e mësues, dy ditët u mbushën me argumente, ide të ndryshme dhe përballje mes skuadrave që ishin përgatitur për të dhënë më të mirën e tyre.
Këtë herë, debati u zhvillua online, përmes platformës Zoom-it. Në raundin e parë, plot 17 debate u zhvilluan në të njëjtën kohë, me skuadrat të ndara në dhoma virtuale. Pas çdo raundi, ekipet fituese vazhduan rrugëtimin drejt çerekfinaleve, gjysmëfinaleve dhe finales.
Tema që vuri në lëvizje kampionatin e debatit ishte: “Inteligjenca artificiale do të krijojë më shumë vende pune sesa do të zëvendësojë.” Një temë aktuale, që i nxiti nxënësit të mendonin, të kërkonin argumente dhe të shihnin të njëjtën çështje nga këndvështrime të ndryshme.
Në fund, Gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë u shpall kampion kombëtar, ndërsa Shkolla “Said Najdeni” në Peshkopi zuri vendin e dytë.
Urime të dy skuadrave për këtë arritje, por edhe të gjithë nxënësve që u bënë pjesë e kampionatit, që guxuan të shpreheshin dhe mbrojtën idetë e tyre me argumente dhe respekt. Një falenderim i veçantë për mësuesit që i përgatitën dhe gjyqtarët që kontribuan në vlerësimin e debateve.
Së fundi, Debating Economics si kompeticion nuk ka të bëjë vetëm me ekipin që fiton një raund, por edhe me aftësinë për të menduar, për të dëgjuar dhe për të kuptuar këndvështrimin e ekipit kundërshtar.
