Gjatë muajve nëntor–dhjetor 2025, Junior Achievement of Albania realizoi një seri aktivitetesh në kuadër të projektit VETpreneur – Vocational Education and Training Provision with Entrepreneurial Education Uptake in the Region, duke u fokusuar në fuqizimin e mësuesve të arsimit dhe formimit profesional, ndarjen e rezultateve të projektit dhe reflektimin mbi ndikimin e tij dyvjeçar në nivel kombëtar dhe rajonal.
Një nga momentet qendrore të kësaj faze përmbyllëse ishte webinari i përbashkët për mësuesit dhe drejtorët, ku u integruan dy komponentë kryesorë të projektit: integrimi i Kornizës Evropiane të Kompetencave Sipërmarrëse – EntreComp dhe prezantimi i Platformës PBEL (Project-Based Entrepreneurial Learning).
Gjatë pjesës së parë të webinarit, pjesëmarrësit u njohën me qasjen e EntreComp si një kornizë praktike për zhvillimin e kompetencave sipërmarrëse në arsimin profesional. Diskutimet u fokusuan në mënyrën se si kompetenca si kreativiteti, marrja e iniciativës, bashkëpunimi dhe të mësuarit nga përvoja mund të integrohen në lëndët ekzistuese përmes metodave aktive dhe joformale të të nxënit.
Në vijim, u prezantua Platforma PBEL, e zhvilluar në kuadër të projektit VETpreneur, si një mjet digjital që ndihmon mësuesit dhe nxënësit të punojnë me skenarë të bazuar në projekte reale dhe sfida praktike të lidhura drejtpërdrejt me kompetencat e EntreComp. Platforma u prezantua si një urë lidhëse mes teorisë dhe praktikës, duke i dhënë mësuesve struktura të qarta mësimore dhe nxënësve një rol aktiv në procesin e të nxënit.
Si pjesë e webinarit, u ndanë gjithashtu përvoja konkrete nga mësues të regjistruar në platformë, të cilët reflektuan mbi përdorimin e PBEL në kontekstin shkollor, vlerën e saj për angazhimin e nxënësve dhe potencialin për ta integruar në mënyrë të qëndrueshme në mësimdhënie.
Aktivitetet u përmbyllën me eventin online të diseminimit të rezultateve të projektit VETpreneur, ku u prezantua një panoramë e plotë e punës së realizuar gjatë dy viteve të zbatimit të projektit. Gjatë këtij eventi u reflektua mbi rrugëtimin e projektit, që nga takimi fillestar në Beograd, zhvillimi i Toolkit për integrimin e EntreComp, krijimi i mekanizmit të njohjes së kompetencave VALI-COMP, trajnimet ToT, sesionet e mentorimit, si dhe programet e mobilitetit ndërkombëtar në Serbi, Slloveni dhe Qipro.
Diskutimet theksuan rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të ndarjes së praktikave të mira, si dhe rolin e mësuesve dhe institucioneve të AFP-së si aktorë kyç në ndërtimin e një kulture sipërmarrëse të qëndrueshme në arsimin profesional.
Këto aktivitete shënojnë përmbylljen zyrtare të projektit VETpreneur, një nismë rajonale që ka kontribuar në afrimin e arsimit profesional me realitetin ekonomik dhe shoqëror, duke vendosur sipërmarrjen në qendër të proceseve të të nxënit. Përmes qasjeve inovative, mjeteve konkrete dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, projekti ka ndërtuar baza të forta për vijueshmërinë e integrimit të kompetencave sipërmarrëse në sistemin e AFP-së edhe përtej kohëzgjatjes së tij formale.
