Konkursi Kombëtar Universitar "Debating Economics" 2026, i organizuar nga Junior Achievement of Albania, u zhvillua në 26-27 Qershor në Piramidën e Tiranës, duke mbledhur klubet e debatit nga universitete të ndryshme të Shqipërisë në një fundjavë të dedikuar mendimit kritik, argumentimit dhe debatit akademik.
Gjatë turneut, studentët zhvilluan 19 debate mbi disa nga sfidat më aktuale që ndikojnë ekonominë, teknologjinë dhe tregun e punës. Ekipet debatuan mbi të ardhmen e punës në distancë, ndikimin e inteligjencës artificiale në vlerën e diplomave universitare, si dhe nëse shekulli XXI do të përcaktohet më shumë nga konkurrenca teknologjike sesa nga ajo ideologjike. Përmes këtyre mocioneve, pjesëmarrësit u sfiduan të ndërtonin argumente të bazuara në kërkim, të mbronin qëndrimet e tyre dhe të analizonin ndikimin e zhvillimeve globale në shoqërinë dhe ekonominë e së ardhmes.
Institucionet pjesëmarrëse ishin:
Universiteti i Tiranës – Fakulteti i Ekonomisë (Tiranë)
Universiteti i Tiranës – Fakulteti i Gjuhëve të Huaja (Tiranë)
Universiteti "Aleksandër Moisiu" (Durrës)
Universiteti "Aleksandër Xhuvani" (Elbasan)
Universiteti "Luigj Gurakuqi" (Shkodër)
Universiteti "Ismail Qemali" (Vlorë)
Universiteti "Eqrem Çabej" (Gjirokastër)
Universiteti "Fan S. Noli" – Fakulteti i Ekonomisë (Korçë)
Universiteti "Fan S. Noli" – Fakulteti i Filologjisë (Korçë)
Universiteti Epoka (Tiranë)
Universiteti Polis (Tiranë)
Tirana Business University (Tiranë)
Finalja e madhe solli përballë ekipin e Tirana Business University dhe ekipin e Universitetit "Ismail Qemali" në Vlorë. Pas një debati të fortë dhe konkurrues, fitues u shpall Universiteti "Ismail Qemali". Si pjesë e çmimit, ekipi fitues do të përfaqësojë Shqipërinë në IDEA Debate Exchange 2026, që do të zhvillohet në Brno, Çeki, nga 6–13 Gusht, ku do të bashkohet me ekipe universitare nga vende të ndryshme për workshop-e, seminare, aktivitete kulturore dhe sesione rrjetëzimi.
Juria e konkursit kombinoi përvojën e alumnive të Junior Achievement me gjyqtarë të rinj që iu bashkuan programit këtë vit, duke garantuar një proces vlerësimi profesional dhe objektiv gjatë të gjitha raundeve të debatit. Konkursi Universitar Kombëtar "Debating Economics" 2026 u mbyll me finalen, shpalljen e folësve më të mirë dhe ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
Edicioni 2026 riafirmoi edhe një herë rolin e programit Debating Economics si një platformë që zhvillon mendimin kritik, aftësitë e komunikimit dhe angazhimin qytetar të studentëve, duke i përgatitur ata të analizojnë sfidat ekonomike, teknologjike dhe shoqërore të kohës me argumente të mirëstrukturuara dhe një perspektivë të informuar.
