Në kuadër të Javës Globale të Parasë, Junior Achievement Albania organizoi një sërë aktivitetesh që promovuan edukimin financiar dhe të nxënit përmes përvojës.
Mbi 500 nxënës të klasës së nëntë morën pjesë në Kuizin Online të Financave Personale, duke testuar njohuritë e tyre mbi menaxhimin e financave dhe vendimmarrjen financiare. Ndërkohë, rreth 50 nxënës u angazhuan në Kampet e Financës, të zhvilluara në Durrës dhe Vlorë, ku morën pjesë në aktivitete praktike dhe sfida që forcuan aftësitë e tyre financiare dhe sipërmarrëse.
Në të njëjtën periudhë, 20 mësues të arsimit të mesëm dhe të arsimit e formimit profesional u trajnuan dhe u akredituan për modulin "Kompania e Nxënësve", duke zgjeruar mundësitë për zbatimin e metodologjisë së të nxënit përmes përvojës në klasë.
Përmes këtyre aktiviteteve, Java Globale e Parasë kontribuoi në zhvillimin e njohurive financiare dhe aftësive sipërmarrëse të të rinjve, duke forcuar angazhimin e Junior Achievement Albania për përgatitjen e nxënësve me kompetencat e nevojshme për jetën dhe tregun e punës.

